Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për një model të ri në qeverisjen globale, sistem që do të adresonte pabarazinë që është rënduar edhe më shumë gjatë pandemisë.
“Po ekspozohen gabimet dhe gënjeshtrat kudo në botë: Gënjeshtra se tregjet e lira mund të ofrojnë kujdes shëndetësor për të gjithë, mashtrimin se jetojmë në një botë post-raciste, miti se të gjithë jemi në anijen e njëjtë”, shtoi ai.
Sipas shefit të OKB-së, nxitësit kryesorë të pabarazisë janë racizmi sistematik, patriarkaliteti, boshllëqet në qasjen në teknologji dhe pabarazitë në qeverisjen globale.
Ai tha se bota ka nevojë për politika të reja të mbrojtjes sociale, ku do të përfshihej edhe kujdesi shëndetësor dhe mundësia që të ketë barazi globale, sa i përket të ardhurave personale.
“COVID-19 (sëmundja që e shkakton koronavirusi) është krahasuar me rrezet X, që shfaqin skeletin e brishtë të shoqërive që kemi ndërtuar”, tha sekretari Guterres.
Koronavirusi ka infektuar më shumë se 14 milionë njerëz në mbarë botën, teksa 600 mijë të tjerë kanë vdekur.
OKB-ja ka bërë thirrje që vendet e varfra të ndihmohen me një fond prej 10,3 miliardë dollarëve./ Gazeta Sinjali/