image Shefi i EULEX-it thotë se kanë nisur patrullimet e policëve në Veri të vendit

Siguri

Shefi i EULEX-it thotë se kanë nisur patrullimet e policëve në Veri të vendit

news image

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Lars Gunnar Wigemark ka bërë të ditur se rreth 135 policë të EULEX-it kanë filluar të patrullojnë në këmbë në pjesën veriore të Kosovës.

Në një intervistë për ‘KoSSev’ ai theksoi se është shtuar edhe numri i pjesëtarëve të EULEX-it në veri të vendit.

Shërbimet e EULEX-it kryejnë patrullime të lëvizshme, por edhe në këmbë në Mitrovicë dhe në vende të tjera, për të treguar se janë të pranishëm atje.

Duke kujtuar se tensionet në Veri kanë qenë të dukshme që nga kriza me targat, ai vuri në pah frikën e qytetarëve lokalë por edhe mungesën e besimit reciprok.

Sa i përket pretendimeve të Listës Serbe për ta sabotuar sistemin institucional të Kosovë, Wigermark pati një mesazh për përfaqësuesit serbë që marrin urdhra nga Beogradi.

“Nuk mund të kesh një sistem tjetër, nuk mund të kesh një sistem paralel apo si të duash quajeni, edhe nëse herë pas here është realitet, sidomos në veri të Kosovës, por nuk është i qëndrueshëm. Nuk mund të kesh dy juridiksione të ndryshme në të njëjtin territor”, përfundoi ai.

Wigermark konfirmoi se përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrell dhe i dërguari për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak po punojnë fort për një zgjidhje që do të de-përshkallëzonte situatën në veri para 21 nëntorit.

/GazetaSinjali/