image Shefi i BE-së: Nuk jemi të kënaqur me zbatimin e MSA-së nga Kosova

Politikë

Shefi i BE-së: Nuk jemi të kënaqur me zbatimin e MSA-së nga Kosova

news image

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur se nuk janë të kënaqur më atë se sa institucionet në Kosovë kanë zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Ai ka thënë se këtë dokument e sheh me rëndësi për tri fusha.

Më së pari, marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës: pra në thelb, ky është dokumenti i parë që është ligjërisht obligues, si dhe është obligues për të dyja palët në zbatimin e saj. Por, është po ashtu dokument i rëndësishëm politik, sepse krijon disa trupa të caktuar si Këshilli për Stabilizim e Asocim”, ka pohuar Szunyog në Rubikon.

“Pjesa e dytë, që po ashtu është e rëndësishme, është që Marrëveshja për Stabilizim-Asocim është hapi i parë drejt integrimit evropian, pra barazon pozitën e Kosovës me vendet tjera të rajonit. Prapë, procesi i stabilizim-asocimit është hapi i parë, pasuar nga kandidatura e shteteve, pastaj negociatat për aderim, si dhe përfundimisht pranimi. Besoj që kjo është pika e dytë e rëndësishme”, shtoi ai.

Së treti, thotë Szunyog, Marrëveshja për Stabilizim e Asocim është dokument tejet praktik, në kuptimin që ofron një udhërrëfyes për Kosovën në përafrimin e legjislacionit, por edhe rregullave e standardeve, me rregullat e standardet evropiane, pra me atë që quhet Acquis.

“Pra, nëse zbatohet plotësisht e mirëfilli, në fakt mund të shërbejë në përmirësimin e cilësisë së mjedisit për biznese, për jetën sociale, për mbrojtjen sociale, apo në të gjitha fushat e jetës publike në Kosovë. Sa i përket zbatimit, pesë vjet është periudhë mjaft e gjatë, si dhe e kuptojmë që nganjëherë zbatimi i mirëfilltë edhe mund të pengohet nga zhvillime komplekse politike, kriza qeveritare, zgjedhjet e të tjera. Por, nëse flasim përgjithësisht, nuk jemi plotësisht të kënaqur me zbatimin e saj”, tha ai.

Ai ka theksuar se zbatimi i saj mbetet i pabalancuar, e këto sipas tij theksohen në Raportin e Progresit.

“Në Raportin e Progresit mund të shihet që shpesh vlerësimi për Kosovën është “në fazë të hershme”, ose “nuk ka progres fare”, në disa raste, ka edhe përparim të mirë me miratimin e ligjeve, por sfidë specifike në fakt është zbatimi i tyre. Pra, derisa shënojmë përvjetorin e pestë, jam i bindur, si dhe shpresoj, që vitin vijues, e edhe pas dy vitesh, të mund të flasim jo vetëm për miratimin e ligjeve, por edhe për zbatimin e tyre praktik”, tha shefi i BE-së. /Gazeta Sinjali/