image Shefi i BE-së në Kosovë: Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë ndryshime në Kushtetutë

Kosovë

Shefi i BE-së në Kosovë: Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë ndryshime në Kushtetutë

news image

Shefi i Zyrës dhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, sot është takuar me Komisionin  për Integrim Evropian.

Tema ishte të gjeturat e Raportit 2020  për Kosovën të publikuar nga Komisioni Evropian dhe në pikën për dialogun, Szunyog tha se nuk është bërë aspak progres në këtë drejtim.

Ndërsa për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shefi i BE-së në Kosovë, tha se ka lexuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 2015-ës dhe se nuk sheh ndonjë ndalim për ngritjen e këtij mekanizmi.

“Kushtetuesja vetëm i cakton disa kufij, por në fund të vendimit thuhet që statusi i Asociacionit duhet t’i dërgohet Gjykata Kushtetuese. Pra, cili është statusi? Ku është statusi? Kosova duhet të angazhohet në këtë çështje. Ju vetë i keni nënshkruar marrëveshjet dhe përveç që është obligim ndërkombëtar është edhe obligim kushtetues i juaj. Askush nuk po ju shtynë me zor që të bëni diçka”.

Ai gjithashtu foli edhe për deklaratën e emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, që tha se është logjike që Kushtetuta duhet ndryshuar për të arritur marrëveshje ndërkombëtare.

“Kur negocioni marrëveshje ndërkombëtare atëherë këto janë marr ligjërisht obligative. Nëse negocioni marrëveshje dhe nënshkruani atëherë bëhen ligjërisht obligative. Pastaj, ju i keni mekanizmat e juaj se si i inkorporoni në legjislacionin tuaj. Normal që marrëveshjet kërkojnë ndryshime dhe s’po shoh diçka të keqe në atë që ka thënë Lajçak.  Do të vjen koha që të dy vendet duhet të ndryshojnë kur të nënshkruajnë diçka”.

Në përgjithësi, për pak dhe aspak progresin e Kosovës, Szunyog po thotë se absolutisht është në dorë të Kosovës nëse dëshiron të nxjerrë veten nga gjendja ku ndodhet dhe se BE-ja është aty për të vlerësuar dhe ndihmuar përparimin.

“Jam i zhgënjyer që në shumë fusha s’ka progres fare apo ka shumë pak. Kosovës i arsyetohet pak sepse ka qenë shumë e vështirë situata edhe nga aspekti politik edhe për shkak të pandemisë. BE-ja është një organizatë që sugjeron juve se çfarë duhet të bëni, por jo të imponojë që të arrini sa më shumë progres. S’jemi këtu që t’iu imponojmë gjërat. Ju të gjithë po më thoni se BE-ja është e vetmja rrugë, por këto pyetje duhet t’ia drejtoni qeverisë suaj”.

“Duhet të ketë koordinim më të fuqishëm mes ministrive, institucioneve dhe organizatave dhe pastaj gjëja më e rëndësishme është që të keni një liderpship të fuqishëm politik. Nuk më takon mua t’iu them se cili është modeli ideal sepse kjo i takon juve dhe parlamentit tuaj. Ka modele në rajon se si mund të arrihet. Ka pasur vende që kanë pasur sukses në arritjen e anëtarësimit në BE. Por, nëse ka vullnet politik arrihet”.

Shefi i Be-së në Kosovë tha se për çështjen e liberalizimit të vizave vendosin 27 shtete anëtare dhe se ai nuk mund të ndikojë në krejt këto shtete. /Gazeta Sinjali/