Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka reaguar pas sanksioneve që iu vendosën nga ShBA grupit serb në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, teksa shpërndan deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit, Yuri Kim thekson se qeveria amerikane do të intensifikojë hapat për të mbajtur përgjegjës ata që janë të përfshirë në korrupsion.
Gjithashtu ajo ka paralajmëruar ata që janë të përfshirë në korrupsion duke thënë se tani është koha për t’u ndalur.
“Përcaktime publike të tilla ndonjëherë duan vite për t’u realizuar, por kur ndodhin janë shkatërruese. Nëse jeni të përfshirë në korrupsion apo përpjekje për të minuar demokracinë, tani është koha e duhur për t’u ndalur dhe për të marrë parasysh pasojat“, shkruan Kim.