Departamenti i Shtetit shpalli të martën si person ‘non grata’ Ramiz Merkon, kryetar i Komunës së Strugës në Maqedoninë e Veriut, për shkak, siç thuhet në njoftim, të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm, përvetësim fondesh dhe ndërhyrje në procese gjyqësore, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike.
Koordinatori për Antikorrupsionin në Departamentin Amerikan të Shtetit, Richard Nephew, ka folur për Zërin e Amerikës mbi këtë përcaktim.
“Vendimi u mor sepse Sekretari i Shtetit kishte informacione të besueshme që sugjeronin se zoti Merko ishte përfshirë në korrupsion madhor. Dhe kështu sipas ligjeve, kur Sekretari arrin në këtë përfundim, përcaktimi i dikujt është ligjërisht i detyrueshëm, siç ndodhi sot”, tha ai.
Ai tregoi se mbi çfarë provash konkrete është bërë ky përcaktim.
“Informacioni që u publikua si pjesë e njoftimit për shtyp tregon se bëhet fjalë për përvetësim fondesh dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore. Dhe ju e dini, duke pasur parasysh natyrën e përcaktimeve dhe bazën e tyre ligjore, ky është informacioni që ne mund të bëjmë publik mbi këtë rast”, tha Nephew.