image SHBA tërhoqi 9500 trupa nga Gjermania, Reuters: Grenelli mund të ketë ndikuar

Botë

SHBA tërhoqi 9500 trupa nga Gjermania, Reuters: Grenelli mund të ketë ndikuar

news image

Vendimi për tërheqjen e 9 mijë e 500 trupave të SHBA-së nga Gjermania, ka shqetësuar shumë zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare, kështu kanë thënë pesë burime të afërta me këtë çështje të agjencisë së lajmeve ‘Reuters’.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, ka marrë vendim që t’i tërheqë 9 mijë e 500 trupa ushtarake nga Gjermania, që është një ndër aleatet më të fuqishme të Shteteve të Bashkuara, duke e zbritur numrin e tyre në 25 mijë nga 34 mijë e 500 sa ishin, ka thënë një zyrtar.

Ky zyrtar tha se vendimi është rezultat i punës disamujore të lidershipit ushtarak amerikan dhe nuk ka të bëjë asgjë me tensionet mes presidentit Trump dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, disa burime të afërta me çështjen thanë se disa zyrtarë amerikanë në Shtëpinë e Bardhë, në Departamentin e Shtetit dhe në Pentagon ishin të befasuar me këtë vendim dhe ofruan sqarime të ndryshme për të, përfshirë zemërimin e Trumpit për Samitin e G7-ës deri te ndikimi i Richard Grenell-it, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani, shkruan agjencia “Reuters”.

Agjencia “Reuters” nuk ka mundur të vlerësojë nëse Grenelli ka luajtur rol të drejtpërdrejtë te Trumpi për vendimmarrje. Ai dha dorëheqje nga pozita e tij më 1 qershor, sipas zëdhënëses së Departamentit të Shtetit.

I pyetur rreth kësaj çështjeje, Grenelli tha se të gjitha janë thashetheme dhe refuzoi të përgjigjej në pyetje specifike rreth vendimit dhe rolit të tij në të. Ai shtoi se zvogëlimi i numrit të trupave në Gjermani ka qenë në proces e sipër që nga viti i kaluar.

Grenelli e theksoi zemërimin e Shteteve të Bashkuara për dështimin e Gjermanisë që ta plotësojë cakun e NATO-s për shpenzime në fushën e mbrojtjes prej 2 për qind të GDP-së dhe tha se sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka cilësuar Gjermaninë si shtetin e vetëm që nuk e ka dorëzuar një plan të besueshëm për atë se si do ta arrijë këtë zotim.

Në anën tjetër, zyrtarët e qeverisë gjermane kanë thënë të hënën se Berlini nuk ka marrë konfirmim zyrtar në lidhje me tërheqjen e trupave amerikane. Ky vendim është kritikuar nga konservatorët, por është mirëpritur nga politikanët e së majtës ekstreme./ Gazeta Sinjali/