image SHBA-të marrin masa për parandalimin e përhapjes së koronavirusit

Botë

Botë/ SHBA-të marrin masa për parandalimin e përhapjes së koronavirusit

news image

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke i kufizuar fluturimet e pasagjerëve që kanë udhëtuar së fundmi nga Kina.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare, ka thënë se duke filluar nga e diela, shtetasit amerikanë që kanë qenë në Kinë brenda 14 ditëve do të lejohen të kthehen në njërin nga 11 aeroportet e përcaktuara për t’iu nënshtruar kontrolleve shtesë. Ndërkohë, numri i rasteve të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara deri më tani ka arritur në të paktën 11.

SHBA-të kanë filluar një karantinë të detyrueshme 14-ditore për qytetarët amerikanë që kthehen nga zonat e prekura rëndë nga koronavirusi në Kinë, provinca Hubei ku ndodhet qyteti Wuahn.

Ata janë duke u dërguar në 11 aeroporte në të cilat udhëtarët po u nënshtrohen kontrolleve shtesë.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë vendosur ndalimin e hyrjes në vend për shumicën e personave që nuk janë amerikanë, të cilët kanë udhëtuar në Kinë brenda dy javëve të fundit.

Zonja Messonnier thotë se Amerika po përgatitet për një pandemi të mundshme.

“Kjo është hera e parë në mbi 50 vjet që Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve ka lëshuar një urdhër karantine.”

Pentagoni tha të hënën se Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Departamenti i Shëndetësisë kanë kërkuar strehim për deri në 2 mijë individë që mund të kenë nevojë të vendosen në karantinë.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me Ministrin e Jashtëm të Uzbekistanit në Tashkent, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, tha se Shtetet e Bashkuara po planifikojnë më shumë fluturime në Kinë për t’i sjellur në vend amerikanët nga Provinca Hubei.

“Ne parashikojmë që brenda ditëve të ardhshme do t’i kthejmë shtetasit amerikanë në vend. Ne mund punojmë edhe në kthimin e disa shtetasve amerikanë nga vende të tjera. Ne po shqyrtojmë hollësitë e këtyre planeve. Ne gjithashtu po punojmë ngushtë me qeverinë kineze për të zgjidhur këtë sfidë globale.”

Teksa të hënën ministria e jashtme kineze kritikoi Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera për disa nga hapat që po merreshin në përgjigje të shpërthimit të epidemisë.

“Disa vende kanë ndërmarrë disa masa të kufizimit të udhëtimeve dhe tregtisë, përfshirë ndalimin e hyrjes së të huajve që kanë vizituar Kinën gjatë 14 ditëve të fundit, duke u mohuar hyrjen në vend shtetasve kinezë me pasaporta të lëshuara nga provinca Hubei, duke u mohuar vizat dhe anuluar fluturimet. Ne kemi nevojë për fakte, jo frikë; kemi nevojë për shkencë, jo thashetheme; kemi nevojë për solidaritet, jo stigmë”, tha ambasadori i Kinës për çarmatimin, Li Song.

Kujtojmë se më shumë se 30 vende po kufizojnë udhëtimet nga Kina./voa