Xiyue Wang, studiuesi kinezo-amerikan i dënuar për spiunazh në Iran është liruar në këmbim të lirimit të një shkencëtari iranian të mbajtur nga SHBA-ja.
Wang u arrestua në Iran në vitin 2016 i dyshuar për “bashkëpunim me qeveritë e huaja”.
Ndërsa, Massoud Soleimani, një ekspert i qelizave burimore, u arrestua në një aeroport të Chicagos vitin e kaluar. Ai u akuzua për shkelje të sanksioneve tregtare duke provuar të eksportonte materiale biologjike në Iran.
Të dy shkencëtarët kishin mohuar akuzat.
SHBA dhe Irani kanë falënderuar qeverinë zvicerane për ndihmën e saj si një ndërmjetësuese në këtë shkëmbim të burgosurish.
Wang shkoi me një aeroplan të qeverisë zvicerane nga Teherani në Cyrih dhe më pas në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, ku ai do të kryejë kontrolle mjekësore para se të shkojë në shtëpi.
Shkëmbimin e shkencëtarëve e bëri të ditur përmes Twitter-it ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.
“Gëzuar që Profesori Massoud Soleimani dhe Z. Xiyue Wang do të bashkohen së shpejti në familjet e tyre”, ka shkruar ai.
Në një deklaratë rreth këtij shkëmbimi, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Wang ishte “mbajtur nën pretekstin e spiunazhit”.
“Lirimi i amerikanëve të mbajtur në robëri është me rëndësi jetike për Administratën time dhe ne do të vazhdojmë të punojmë shumë për të sjellë në shtëpi të gjithë qytetarët tanë, të mbajtur në mënyrë të gabuar robër jashtë shtetit”, thuhet në deklaratë./Gazeta Sinjali/