Transmetuesi publik britanik, BBC ka raportuar se SHBA ka regjistruar shifrën më të madhe të të vdekurve nga COVID-19 gjatë 24 orëve të kaluara, transmeton Gazeta Sinjali.
Sipas BBC-së, rekordi i mëparshëm ishte shënuar më 7 maj, kur për një ditë kishin vdekur 2.769 persona nga sëmundja Covid-19.
Sipas projektit “Covid Tracking Project”, mbi 106 mijë persona ndodhen në spitalet e Shteteve të Bashkuara për shkak të kësaj sëmundje.
Spitalet në disa shtete janë pothuajse plot dhe ekspertët mjekësorë po paralajmërojnë që gjendja do të përkeqësohet në javët e ardhshme, nëse njerëzit vazhdojnë të mos i respektojnë këshillat për t’i shmangur tubimet e mëdha dhe udhëtimet e panevojshme.
Po ashtu, shumë ekspertë u shprehën se rritja e madhe e numrit të rasteve ka ardhur si pasojë e mungesës së kujdesit të amerikanëve gjatë festës së Ditës së Falënderimeve.
Kurse, presidenti në largim, Donald Trump, është kritikuar ashpër për masat që i ka marrë gjatë pandemisë, ndërsa presidenti i zgjedhur, Joe Biden, ka premtuar ndryshim të qasjes së Shtëpisë së Bardhë në këtë aspekt.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi më i prekur në botë nga pandemia dhe kanë shifra rekorde për numrin e të infektuarve dhe viktimave.
Deri më tani, atje janë shënuar mbi 15 milionë të infektuar dhe më shumë se 289 mijë të vdekur. /Gazeta Sinjali/