Shtetet e Bashkuara bënë thirrje të premten për shmangien e retorikës tensionuese, pasi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi Greqinë të çmilitarizojë ishujt në detin Egje, duke shtuar se “nuk po bënte shaka” me paralajmërimin.
“Ftojmë Greqinë të ndalojë armatosjen e ishujve që kanë status joushtarak dhe të veprojë në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare . Nuk po bëj shaka, po flas seriozisht. Ky vend (Turqia) është i vendosur”, tha Erdogan.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohet dhe të mbrohet.
“Ne vazhdojmë të inkurajojmë aleatët tanë të NATO-s, Greqinë dhe Turqinë që të punojnë së bashku për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë diplomatike”, tha zëdhënësi.
“U bëjmë thirrje aleatëve tanë të shmangin retorikën që mund të rrisë më tej tensionet. Për Shtetet e Bashkuara, Greqia dhe Turqia janë të dyja partnere të forta dhe aleate kryesore të NATO-s”, vazhdon reagimi i Departamentit të Shtetit..
Greqia dhe Turqia kanë pasur prej kohësh mosmarrëveshje për çështje si kufijtë detarë dhe pretendimet në Detin Mesdhe, si dhe hapësirën ajrore, emigrantët dhe Qipron e ndarë etnikisht.
Tensionet janë ndezur sërish kohët e fundit mbi ishujt e Egjeut, të cilët Ankaraja thotë se nuk mund të armatosen sipas traktateve ndërkombëtare.
Në fjalën që mbajti ndërsa ndiqte stërvitjet ushtarake turke pranë rajonit bregdetar të Izmirit në Egje, zoti Erdogan i bëri thirrje Athinës që “të shmangë ëndrrat, veprimet dhe deklaratat që do të sillnin si pasojë pendimin” dhe përmendi luftën për pavarësinë e Turqisë në fillim të viteve 1920, kur turqit mundën fuqitë okupuese, përfshirë Greqinë.
“Turqia nuk do të heqë dorë nga të drejtat e saj në Egje dhe nuk do të tërhiqet nga përdorimi i të drejtave të përcaktuara nga marrëveshjet ndërkombëtare kur bëhet fjalë për armatosjen e ishujve”, tha Erdogan.
Javën e kaluar Erdogan njoftoi se Turqia po ndalte të gjitha bisedimet dypalëshe me Greqinë për një mosmarrëveshje me kryeministrin grek dhe atë që Ankaraja e quan shkelje të hapësirës ajrore.
Të dy kishin rifilluar bisedimet dypalëshe në vitin 2021 për përmirësimin e lidhjeve pas një ndërprerjeje pesëvjeçare, por kanë bërë pak përparim.
Ankara thotë se ishujt e Egjeut iu dhanë Greqisë sipas traktateve të 1923 dhe 1947 me kusht që ajo të mos ketë armë atje.
Greqia ka thënë se komentet e Turqisë për armatosjen e ishujve janë “të pabaza” dhe ka akuzuar Ankaranë se ka vënë në pikëpyetje sovranitetin e saj mbi ta.
Të enjten, Ministria e Jashtme e Greqisë lëshoi 16 harta të cilat tha se “përshkruajnë, në një mënyrë të qartë, veprimet dhe pretendimet e paligjshme, të njëanshme të Turqisë”, shkruan VOA.
Të dy vendet u kanë dërguar letra Kombeve të Bashkuara duke parashtruar pozicionet e tyre rivale në hapësirën ajrore dhe ishujt.