Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë se janë të shqetësuar me deklaratat e krerëve të partive opozitare në në lidhje me Planin Evropian.
“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin”, thuhet në një përgjigje të ambasadës amerikane për Klankosova.tv.
Të hënën e javës së kaluar, më 27 shkurt, dy liderët e Kosovës dhe Serbisë pranuan tekstin e propozimit evropian, që Bashkimi Evropian e ka quajtur një marrëveshje bazë.
Pas takimit në Bruksel, përfaqësuesit e BE-së si lehtësues të dialogut, konfirmuan se dy palët e kanë pranuar tekstin e marrëveshjes dhe pritet në vazhdim të diskutohet për planin e zbatimit të saj.