image SHBA qartë dhe shkurt për Kosovën: “Shtëpia është në flakë”

Politikë

SHBA qartë dhe shkurt për Kosovën: “Shtëpia është në flakë”

news image

Situata e tensionuar tash e disa ditë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, ka alarmuar aleatët ndërkombëtarë për një eskalim të mundshëm. Gjatë një takimi me gazetarët kosovarë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffery Hovenier, ka thënë se çështja është shumë urgjente, teksa si shembull krahasues ka marrë “një shtëpi që po digjet”, raporton Gazeta Sinjali.

Hovenier ka shprehur shqetësimin e aleatit kryesor të Kosovës për situatën në veri, teksa ka thënë se kjo krizë nuk ka qenë e nevojshme dhe krejt kjo situatë ka ndikuar negativisht në imazhin e shtetit më të ri në Evropë.

Po ashtu sipas tij janë dëmtuar edhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jemi shumë të shqetësuar për situatën në veri dhe besojmë që kjo krizë nuk ishte e nevojshme. Veprimet e ndërmarra të premten për të marrë qasje në ndërtimet publike nuk ishin të koordinuara me SHBA-të, dhe kur e morëm vesh fuqishëm thamë jo sepse parashikuam pasojat që po i shohim tash. Besojmë që kishte impakt negativ për imazhin e Kosovës dhe i dëmtoi përpjekjet për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe siç e kemi thënë (Sekretari Blinken) kryeministri po i afekton raportet mes Kosovës dhe ShBA-së”, citohet të ketë thënë në hyrje të fjalës së tij ambasadori amerikan në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, Hovenier ka kumtuar edhe pasojën e parë për Qeverinë e Kosovës pas tensioneve në veri, duke thënë se është anuluar pjesëmarja e Kosovëës në stervitjet “Defender Europe 2023”. Po ashtu, ai ka paralajmëruar se mund të ketë edhe sanksione tjera.

Indikacioni i parë i kësaj gjëje ishte vendimi që mori Gjenerali i NATO-s për Europë Juglindore për të anuluar pjesëmarrjen e Koforës në Defender 2023, që ndodhi gjatë natës. Dhe siç e dimë, nuk kishte aktivitete sot dhe s’do të ketë. Për Kosovën këto stërvitje kanë përfunduar. Po mendojmë edhe për të tjera pasoja, po ashtu”, ka thënë ai.

Ai u shpreh se SHBA-ja nuk nuk ka shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës.

Më duhet të them se në këtë moment, SHBA-ja nuk ka shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, ka thënë Hovenier.

Diplomati amerikan ka thënë se presin që Qeveria të marrë veprimet e duhura për shtensionimin e situatës dhe të mos insistojë që kryetarët e zgjedhur në komunat veriore, të punojnë në ndërtesat komunale.

Mendojmë se kjo është çështje shumë urgjente. Krahasimi që kam marrë është ai me një shtëpi që po digjet. Prandaj, mendoj që duhet të hiqet së pari zjarri. Ne presim që Qeveria të ndërmarrë veprime tash… Besojmë që Qeveria nuk duhet të insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat e komunave. Qeveria duhet të gjejë vende alternative pune për ta. Nuk e dimë pse nuk po i përdor të njëjtat vende alternative ku janë betuar”, ka thënë Hovenier.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë dy kërkesa për Qeverinë e Kosovës, të cilat sipas tij, Sipas Hovenierit, të ndihmonin në ulje të tensioneve.

Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen lokacione alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, ka thënë Hovenier, duke përmendur shembullin që kryetarët e komunave në veri janë betuar në lokacione alternative.

Ne besojmë se prezenca e Policisë së Kosovës në ndërtesa, e cila ka hyrë me forcë, është tejet sfiduese, prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që të tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale”, është shprehur ai.

I pyetur nëse vendimi i Serbisë për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë, përbën kërcënim për Kosovën, ambasadori amerikan, Hovenier, ka thënë se “nuk është kurrë shenjë e mirë” që shtetet fqinje, me të cilat janë marrëdhëniet e tensionuara – i mobilizojnë forcat e tyre.

Mirëpo në këtë pikë, ne jemi të shqetësuar për veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat e kanë krijuar këtë atmosferë krize në veri, prandaj po kërkojmë që ato të adresohen”.

Ndërsa për qasjen e presidentes Vjosa Osmani ndaj situatës në veri, Hovenier ka thënë se nuk i takon të flasë për këto dinamika brenda institucioneve.

Megjithatë, ai e ka përmendur se Osmani e ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, në veçanti me Shtetet e Bashkuara.

Besoj se kjo është diçka që ajo e trajton me seriozitet”.

Tutje ambasadori amerikan ka thënë se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sa serioze e konsideron situatën në veri.

Ne jemi këtu, së bashku, që unë të theksoj sa serioze është situata, dhe i kam thënë edhe kryeministrit sa serioze është”, ka shtuar ai.

Pas këtyre deklaratave shqetësuese të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, ka pasur një sërë reagimesh nga partitë opozitare e përfaqësues të shoqërisë civile.

Përmes një komunikate për media, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin për të gjitha këto ngjarje, duke kritikuar Qeverinë e Kosovës në krye me Albin Kurtin, për qasjen ndaj aleatëve ndërkombëtarë.

Partia e dytë më e madhe opozitare në vend, ka thënë se Qeveria nga përplasja me grupet kriminale në veri, po përfundon në përplasje me Perëndimin, teksa i ka bërë thirrje Qeverisë që në këto momente kritike për vendin, të zgjedh maturinë politike para popullizmit afatshkurtër.

Ndërsa më i ashpër ishte kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Kurti.

Haradinaj tha se sanksionet e SHBA-së janë alarm për sigurinë tonë nacionale dhe se miqësitë dhe aleancat me aleatët tanë nuk mund t’i rrëzojë kryeministri Kurti. Ai gjithashtu ka thënë se Kurti është i vogël për t’ia ndërruar orientimin Kosovës dhe se i njëjti “duhet të japë dorëheqje qysh sot”.

E kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se Kosova ka vetëm kryeministër, ndërsa krerët tjerë të shtetit i ka quajtur notere dhe amortizator.

Sipas tij, Kosova nën udhëheqjen e një njeriu, është e rrezikuar si rrallëherë tjetër.

/GazetaSinjali/