image Tensionet në veri, LDK: E rrezikshme qasja e Kurtit me aleatët, e vuri Kosovën në përplasje me Perëndimin

Politikë

Tensionet në veri, LDK: E rrezikshme qasja e Kurtit me aleatët, e vuri Kosovën në përplasje me Perëndimin

news image

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me situatën e tensionuar në ditët e fundit në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një komunikate për media, LDK shpreh shqetësimin për të gjitha këto ngjarje, duke kritikuar Qeverinë e Kosovës në krye me Albin Kurtin, për qasjen ndaj aleatëve ndërkombëtarë.

“Por e panjohur, zhgënjyese dhe së këndejmi e rrezikshme e me pasoja afatgjata për vet shtetin tonë, mbetet qasja e Kryeministrit, Qeverisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera drejtuese në raport me aleatët historikë të Republikës së Kosovës në trajtimin e këtij provokimi në Veri. Mungesa e koordinimit të ngushtë për ndërmarrjen e hapave politik në bashkërendim me shtetet mike, në veçanti në fushën e sigurisë, e ka vënë shtetin tonë, si rrallëherë më parë, në përplasje të hapur me aleatët më të mëdhenj”, thuhet në komunikatë.

Partia e dytë më e madhe opozitare në vend, ka thënë se Qeveria nga përplasja me grupet kriminale në veri, po përfundon në përplasje me Perëndimin.

“Nga përplasja me grupet kriminale në veri, Qeveria e Kosovës po përfundon në përplasje me vetë Perëndimin, duke rënë kështu në grackën e Serbisë. Reagimet e shteteve mike, kundër institucioneve të Kosovës, reagimet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, BE-së e vet NATO-s, dëshmojnë pozicionin e rëndë diplomatik e strategjik në të cilin gjendet Kosova. Në një pozicion të tillë Kosova nuk është gjendur asnjëherë më parë”, thuhet tutje në reagimin e LDK-së.

LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që në këto momente kritike për vendin dhe të ardhmen euroatlantike të zgjedhë maturinë politike para popullizmit afatshkurtër, teksa thonë se nuk do të lejojnë për asnjë çmim, asnjë politikan e asnjë Qeveri, të rrezikojë themelet e shtetësisë.

https://www.facebook.com/LDKzyrtare/posts/pfbid0MZWtJxfSJtYUpeGAhg44frJJFPJUxr8bkt4jjYkXu8gEiQqgn6d18Zuz6F2DoNHel?cft[0]=AZXjjexL3SS6nDIGhb3Pc1CZuJ0uskAi4XrJPl5z0De7SmfoeQKRspcQOfOHHvcyXoshGGCxa7QBEmoOaKd58Juxdw0s1Wd1dNVYMA9IberULiUiztvnrPczKpNkWezV44s&tn=%2CO%2CP-R

/GazetaSinjali/