Bashkimi Evropian pritet të bëjë të ditur një marrëveshje, sipas së cilës, Shtetet e Bashkuara do ta furnizojnë bllokun evropian me gaz të lëngshëm natyror, në mënyrë që të zëvendësohen importet ruse.
Shtetet e Bashkuara pritet të ofrojnë të paktën 15 miliardë metra kub të gazit të lëngshëm natyror deri në fund të vitit, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.
Kombet evropiane janë duke tentuar që të zvogëlojnë varësinë ndaj naftës dhe gazit rus, pas pushtimit rus në Ukrainë.
Bashkimi Evropian është zotuar për të ndalur për dy të tretat përdorimin e gazit rus këtë vit.
Duke folur të enjten në mbrëmje, kryeministri belg, Alexander de Croo, ka mirëpritur këtë vendim, duke thënë se do të ndihmonte në uljen e çmimeve të gazit në Evropë.