Ndihmës sekretari amerikan i shëndetësisë, Brett Giroir tha se është e mundur që Shtetet e Bashkuara të ndalojnë udhëtimet nga Mbretëria e Bashkuar ndërsa një variant i ri i COVID-19 po përhapet në këtë vend, transmeton Gazeta Sinjali.
Por, Giroir shtoi se nuk ishte marrë ende një vendim mbi këtë çështje.
“Mendoj se gjithçka është e mundur. Thjesht duhet të vendosim të gjitha opsionet mbi tavolinë, të kemi një diskutim të hapur shkencor dhe të bëjmë rekomandimin më të mirë“, tha ai gjatë një interviste për rrjetin televiziv CNN, duke shtuar se grupi i punës për koronavirusin në Shtëpinë e Bardhë do të takohet më vonë gjatë ditës.
Ndërkohë, kryeministri britanik, Boris Johnson pritet të drejtojë një takim të komitetit të krizave për të adresuar çështjen e udhëtimeve si brenda ashtu edhe jashtë Britanisë, veçanërisht lëvizjen e mallrave.
Shumë shtete ndaluan fluturimet me Britaninë e Madhe, gjersa tensione lidhur me variantin e ri të COVID-19- janë shfaqur edhe jashtë Britanisë.
Ministri i jashtëm i Italisë tha të dielën se në Romë është identifikuar një rast. Ndërkohë Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nëntë raste janë zbuluar në Danimarkë dhe nga një në Holandë e Australi.