image SHBA po bën “kthim mbrapa” me vendimin për abortin

Botë

SHBA po bën “kthim mbrapa” me vendimin për abortin

news image

Shtetet e Bashkuara janë duke shënuar kthim mbrapa në të drejtat e grave, pas vendimit të fundit të Gjykatës Supreme që shfuqizon të drejtën e abortit, ka thënë Sekretari amerikan për Shëndetësi, Xaver Becerra.

Ai i ka thënë transmetuesit britanik BBC se beson që Shtetet e Bashkuara janë duke “bërë kthim mbrapa” derisa pjesa tjetër e botës shkon përpara.

Komentet e tij vijnë teksa Shtëpia e Bardhë përballet me presion në rritje për të kundërshtuar vendimin për abortin.

Me vendimin e Gjykatës Supreme, aborti nuk është bërë me automatizëm ilegal në SHBA – mirëpo shtetet mund të vendosin nëse do të lejojnë diçka të tillë.

Rreth 26 shtete pritet të vendosin ndalesë apo të kufizojnë abortin në javët në vijim.

Të paktën shtatë shtete brenda SHBA – të banuara nga 16 milionë gra në moshë riprodhimi – tashmë kanë vënë ndalesa, prej kur Gjykata Supreme ka shfuqizuar ligjin Roe v Wade, siç njihet ndryshe vendimi që ka garantuar abortin për gati 50 vjet në territorin amerikan.

Aktivistët kundër abortit janë gëzuar pas vendimit të Gjykatës Supreme, mirëpo Becerra ka thënë se ai kufizon të drejtat e grave.

“Ky vendim ka shfuqizuar të drejtat me të cilat janë rritur gratë që tani janë në moshë riprodhimi”.

Becerra ka thënë se beson që aborti do të jetë temë kyçe në zgjedhjet për Kongresin amerikan, që mbahen në nëntor të këtij viti.

Presidenti amerikan, Joe Biden, është zotuar se do të bëjë gjithçka që mundet për të mbrojtur të drejtat e abortit, mirëpo veçse është duke u përballur me kritika brenda partisë së tij se nuk është duke bërë mjaftueshëm.

Vendimi i vitit 1973 Roe v Wade ishte miratuar nga Gjykata Supreme me shtatë vota për dhe dy kundër.

Përmes këtij vendimi grave u është mbrojtur e drejta për t’iu dhënë fund shtatzënive.

Vendimi u ka dhënë grave amerikane të drejtë absolute për abort në tre muajt e parë të shtatzënisë, mirëpo e ka lejuar atë procedurë në disa raste edhe në tremujorin e dytë.

/GazetaSinjali/