image SHBA për Ballkanin e Hapur: Kosova t’i qaset me mendje të hapur integrimit rajonal ekonomik

Politikë

SHBA për Ballkanin e Hapur: Kosova t’i qaset me mendje të hapur integrimit rajonal ekonomik

news image

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pro përpjekjeve të Ballkanit Perëndimor për të forcuar integrimin ekonomik.

Ata i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovë që t’i qaset me “mendje të hapur” përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik.

“Ne e inkurajojmë qeverinë që t’i qaset përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik me mendje të hapur dhe të përqafojë zgjidhjet që japin rezultate për kosovarët, teksa përmirësojnë raportet me fqinjët e saj”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Në iniciativën “Ballkani i Hapur”, që më herët njihej me termin “mini-Shengeni”, marrin pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Ideja e “mini-Shengenit” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kryeministrin i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, atëbotë nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohej në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Me 29 korrik 2021, kur “mini-Shengeni” e ndryshoi emrin gjatë një forumi ekonomik në Shkup, Rama, Vuçiq dhe Zaev edhe njëherë i ftuan vendet e tjera të rajonit që t’i bashkohen nismës.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, mendon se iniciativa e “mini-Shengenit” është nismë pa vizion për rajonin. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, e ka cilësuar këtë iniciativë si “ide të rrezikshme”, sepse sipas saj, krijohet përshtypja se ekziston alternativë për integrimin në BE.

Por, Ambasada amerikane në Prishtinë tha se integrimi më i fortë ekonomik dhe politik “është thelbësor për paqe të qëndrueshme dhe prosperitet, dhe po ashtu do të forcojë përpjekjet ekzistuese të Kosovës për të përmbushur reformat e kërkuara për pranimin në BE në të ardhmen”.

“Ne inkurajojmë Kosovën që të kërkojë mundësi për të zvogëluar barrierat tregtare, për të rritur konkurrencën e saj ekonomike dhe për të ndërtuar një rajon të integruar dhe ekonomi të qëndrueshme që do të jetë në të mirë të të gjithë kosovarëve”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane.

Kosova është zotuar që do t’i bashkohet iniciativës së “mini-Shengenit” përmes Marrëveshjes së Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë.

Por, kjo iniciativë në Prishtinë, përveç partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit, nuk përkrahet as nga partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

/GazetaSinjali/