image SHBA paralajmëron Rusinë: Nëse përdoren armët bërthamore do të ketë pasoja katastrofike

Botë

SHBA paralajmëron Rusinë: Nëse përdoren armët bërthamore do të ketë pasoja katastrofike

news image

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, paralajmëroi Rusinë se nëse do të futeshin në përdorim armët bërthamore në Ukrainë, atëherë do të ketë pasoja katastrofike.

Ai tha se SHBA do të miratojë sanksione të tjera ekonomike kundër Rusisë nëse Kremlini përfundon referendumin e tij “të rremë”.

“Nëse Rusia e kalon këtë vijë, do të ketë pasoja katastrofike për të. Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen me vendosmëri. Ne e kemi shpjeguar në mënyrë më të detajuar saktësisht se çfarë do të thotë kjo”, tha Sullivan në një intervistë televizive.

Sa i përket referendumeve në territoret e pushtuara ukrainase , Sullivan kujtoi deklaratën e liderëve të G7 të premten dhe tha se do të ketë më shumë njoftime nga SHBA në ditët në vijim.

“Ata përsëritën se do të kishte pasoja dhe specifikuan vendosjen e sanksioneve shtesë , përfshirë ato ndaj subjekteve dhe kompanive jashtë Rusisë që mbështesin makinën ruse të luftës ose mbështesin këto referendume të rreme ose përpjekjet e Rusisë,” tha Sullivan.

Sullivan tha gjithashtu se SHBA po përgatitet “për çdo emergjencë”.

“Ne po përgatitemi për çdo rast dhe do të bëjmë atë që është e nevojshme për të penguar Rusinë nga ndërmarrja e këtij hapi. Dhe nëse ata e bëjnë, ne do të përgjigjemi me vendosmëri”, tha Sullivan.

/GazetaSinjali/