Në Shtetet e Bashkuara më 8 nëntor votohet për të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve, 35 vende të Senatit, si dhe për 36 poste guvernatorësh shtetesh dhe pozita të tjera shtetërore.
Analistët mendojnë se nata e 8 nëntorit do të jetë e gjatë, ndërsa pritet për të kuptuar nëse republikanët apo demokratët do të marrin kontrollin e Kongresit.
Republikanët do të duhet të fitojnë pesë vende më shumë se kanë aktualisht në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një vend më tepër në Senat për të marrë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.
Hulumtuesit jopartiak të zgjedhjeve dhe anketat e opinionit publik sugjerojnë se republikanët kanë një mundësi mjaft të mirë për të marrë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa gara për Senat do të jetë e ngushtë.
Një valë masive e mbështetjes republikane mund të çojë në shpalljen e fitores disa orë pas mbylljes së qendrave të votimit.
Ndërsa dhjetëra gara pritet të jenë me rezultate të ngushta, dhe shtetet kryesore si Pensilvania që tashmë po paralajmërojnë se mund të duhen ditë për të numëruar çdo votë, ekspertët thonë se ka gjasa që nata e 8 nëntorit të mbyllet pa e ditur se kush ka fituar.
“Kur bëhet fjalë për daljen e rezultateve, ne duhet të largohemi nga të folurit për ditën e zgjedhjeve dhe në vend të kësaj të mendojmë për javën e zgjedhjeve”, thotë Nathan Gonzales, i cili boton buletinin jopartiak Inside Elections.
Rezultatet paraprake do të dalin bazuar në shpejtësinë e numërimit nga shtetet të votave me postë.
Meqenëse demokratët votojnë me postë, më shpesh se republikanët, shtetet që lejojnë zyrtarët të numërojnë më herët votat me postë, mund të njoftojnë për epërsi të madhe të demokratëve që fillon e zbehet ndërsa numërohen votat e shumta republikane të hedhura ditën e zgjedhjeve.
Në shtete si Florida dhe Karolina e Veriut, zyrtarët zgjedhorë lejohen të numërojnë votat me postë para ditës së zgjedhjeve, çka mundëson daljen e shpejtë të rezultatit. Disa shtete, si Pensilvania dhe Uiskonsin-i, nuk lejojnë hapjen e zarfeve me fletët e votimit deri në ditën e zgjedhjeve. Kjo do të thotë se votat e hedhura atë ditë mund të nxjerrin në avantazh përkohësisht republikanët, deri në numërimin më pas të votave me postë që zakonisht favorizojnë demokratët, raporton Zëri i Amerikës.