image SHBA, Koreja e Jugut e Japonia mbajnë stërvitje përballë kërcënimeve nga Koreja e Veriut

Siguri

SHBA, Koreja e Jugut e Japonia mbajnë stërvitje përballë kërcënimeve nga Koreja e Veriut

news image

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Koreja e jugut dhe Japonia sot kanë mbajtur një stërvitje të përbashkët ku u përfshi edhe një aeroplan mbajtës amerikan me qëllim që të sigurojnë gatishmëri ndaj kërcënimeve bërthamore dhe raketore nga Koreja e Veriut.

Një gjë të tillë e bëri të ditur marina e Seulit të premten.

Koreja e Veriut në anën tjetër ka testuar një raketë hipersonike me lëndë djegëse të ngurtë.

Kim Jong Un, njëkohësisht lideri veri korean, të mërkurën u shpreh se gjendja gjeopolitike është e paqëndrueshme.

“Forcat pjesëmarrëse kryen stërvitje luftarake kundër nëndetëseve, për ta përmirësuar reagimin ndaj kërcënimeve nënujore prej Koresë së Veriut, përfshirë prej nëndetëseve dhe prej raketave balistike të shkrepura nga nëndetëset”, tha marina e Koresë së Jugut në një komunikatë.

Këto stërvitje vijnë pas një plani të përbashkët shumëvjeçar që u përpilua në një samit mes tre palëve vitin e kaluar, tha Koreja e Jugut.

Tre vendet ushtruan gjithashtu mënyra se si ta bllokojnë transportin e jashtëligjshëm të armëve shkatërruese nga Koreja e Veriut, si dhe kryen stërvitje për kërkim-shpëtim.

Ndërkohë sipas Seulit, në Uashington, zyrtarët amerikanë dhe ata jug koreanë mbajtën bisedime vjetore për mbrojtjen të enjten, raporton REL.

/GazetaSinjali/