image SHBA-ja tërheq licencën që autorizonte shitjen e naftës iraniane, rriten çmimet e karburanteve

Botë

SHBA-ja tërheq licencën që autorizonte shitjen e naftës iraniane, rriten çmimet e karburanteve

news image

Shtetet e Bashkuara të martën shfuqizuan një licensë të përgjithshme që e autorizonte shitjen e naftës iraniane, përderisa një zyrtar amerikan paralajmëroi se veprimet e Iranit në Ngushticën e Hormuzit janë “tërësisht të papranueshme” dhe do të ballafaqohen me pasoja pas sulmeve ndaj anijeve cisterna në rrugën ujore strategjike.

Çmimet e karburanteve u rritën për më shumë se 5 për qind pas këtij njoftimi. Thesari i ShBA-së tha se do të lejojë një periudhë kalimtare deri më 17 korrik për shitjet e naftës iraniane që ishin lejuar me licensën tashmë të shfuqizuar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Zyrtari amerikan tha se negociatorët vazhduan të punonin në mirëbesim drejt një marrëveshjeje përfundimtare me Iranin pavarësisht përshkallëzimit të fundit.

Vendimi i Shteteve të Bashkuara erdhi pasi tri anije cisterna u raportua se ishin goditur nga predha të panjohura në Ngushticën e Hormuzit ose afër saj ditëve të fundit, tha në një raport agjencia e afërt me forcat detare britanike, UKMTO. Nuk pati koment të menjëhershëm nga Teherani ose ndonjë marrje të përgjegjësisë për sulmet.

Këto sulme dhe kundërpërgjigjja e Uashingtonit rrezikojnë që ta lëkundin mirëkuptimin e brishtë diplomatik mes ShBA-së e Iranit, duke e shtuar mundësinë që masat e mëtejme hakmarrëse t’i nxjerrin nga binarët bisedimet për një marrëveshje më të gjerë, thekson agjencia e njohur e lajmeve.

Një zyrtar tjetër amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se shenjat fillestare janë që Irani kishte hapur zjarr ndaj tri anijeve tregtare.

Përshkallëzimi i mundshëm vjen në kohën kur të dyja palët ishin duke punuar drejt një marrëveshjeje që përfshin kufizime ndaj programit bërthamor të Iranit dhe lehtësim të disa sanksioneve ndaj Teheranit, përfshirë kufizimet ndaj eksporteve të naftës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/