Një tjetër bazë ajrore ruse mori flakë pas një sulmi me dron më 6 dhjetor, një ditë pasi Rusia tha se dy nga bazat e saj ajrore, përfshirë një që ndodhet qindra kilometra larg Ukrainës, ishin goditur nga dronët.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se nuk kishte asnjë konfirmim që sulmet ishin kryer nga Ukraina.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se SHBA-ja “as nuk i ka inkurajuar dhe as lejuar ukrainasit të godasin brenda Rusisë”.
Ai shtoi se është e rëndësishme të kuptohet se çfarë po përjetojnë ukrainasit çdo ditë me “agresionin e vazhdueshëm rus”, duke akuzuar Rusinë për sulmet e saj ndaj infrastrukturës civile.
Më 5 dhjetor, një shpërthim i fuqishëm ndodhi në bazën ajrore ruse në rajonin Saratov, rreth 600 kilometra në lindje të Ukrainës. Po ashtu është raportuar edhe për një shpërthim në një bazë ajrore në Riazan, në juglindje të Moskës.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se sulmet u kryen nga dronët ukrainas. Por, autoritetet ukrainase ende nuk kanë komentuar për këto shpërthime.