Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se senatorët amerikanë kanë përkrahur idenë e tij për vendosjen e një baze të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë.
“Senatorët amerikanë mirëpresin propozimin tim për vendosjen e bazës së përhershme ushtarake amerikane. Takimet bilaterale në ditën e dytë të pjesëmarrjes në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax i përmbyllëm me takimin e grupit të senatorëve nga SHBA, pjesëmarrës në këtë forum”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
“Përveç temave të tjera, në takim u diskutua dhe u përkrah nga senatorët amerikanë edhe ideja e tij për praninë e një bazë të përhershme ushtarake amerikane në Republikën e Kosovës.. Ata u shprehën se do të vazhdojnë të përkrahin këtë ide në çdo instancë të vendimmarrjes së shtetit amerikan”, ka shkruar tutje ai.
Mehaj së bashku me presidenten Osmani dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz janë takuar me senatorët James E. Risch, Jeanne Shaheen, Joni Ernst dhe Chris Coons.
Ministri tha se delegacioni amerikan i ka përgëzuar për menaxhimin me refugjatët afganë dhe për kontributin e FSK-së në Kuvajt.
“Delegacioni na përgëzoi për 10 vjetorin e Partneritetit Shtetëror me Gardën Kombëtare të Iowa-s si dhe shprehën falënderimet për kontributin e Kosovës me bashkë-zbarkimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me trupat amerikane në Kuvajt. Gjithashtu për kontributin në menaxhimin e krizës së refugjatëve nga Afganistani”, ka përfunduar ministri./GazetaSinjali/