image SHBA-ja kërkon nga Kosova e Serbia të zbatohet Marrëveshja e Washingtonit

Politikë

SHBA-ja kërkon nga Kosova e Serbia të zbatohet Marrëveshja e Washingtonit

news image

Ndërmjetësuesi i Marrëveshjes së Washingtonit, Donald Trump, më nuk është në pushtet. Por administrata e tanishme e presidentit Joe Biden i ofron përkrahje të plotë ujdisë së arritur më 4 shtator 2020 për normalizim ekonomik Kosovë-Serbi.

SHBA-ja do të angazhohet me të dyja vendet për jetësimin e qëllimeve të asaj marrëveshjeje.

Ky është njëri nga elementet e deklaratës që e lëshoi Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) nëpërmjet zëdhënësit Ned Price mbi përkushtimin e Washingtonit në Ballkan.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të gatshme të mbështesin përpjekjet për një marrëveshje detyruese, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë dhe Serbi, të bazuar tek njohja e ndërsjellë. Kjo do të shërbejë si themel për bashkëpunim  afatgjatë dhe begati të qëndrueshme”, njofton Klankosova.

Në letër po ashtu thuhet se amerikanët përkrahin dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe ftojnë palët që me urgjencë të adresojnë çështjet politike e teknike.

Jehonë në SHBA ka bërë dhe publikimi i dokumenteve jo formale të quajtura “non paper” që paraqesin ri-vizatim të kufijve në pesë nga gjashtë shtetet sa i ka rajoni, përfshirë Kosovën.

Spekulimet e panevojshme kohët e fundit për ndryshim kufijsh në Ballkan në bazë të linjave etnike kërcënojnë të sjellin destabilitet në rajon dhe zgjojnë jehonën e tensioneve të mëparshme. Një e ardhme e stabilizuar dhe e begatë për Ballkanin Perëndimor duhet të bazohet tek qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, demokracia shumëetnike dhe respekti për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”.

Në zhvillimet e fundit rreth dialogut Kosovë-Serbi, pala amerikane u angazhua përtej deklaratës së DASH-it.

I Dërguari për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, bisedoi me kryeministrin Albin Kurti.

Përderisa Ndihmës-Sekretari i Shtetit për Euro-Azi, Philip Reeker, po virtualisht bisedoi me presidenten Vjosa Osmani.

Dyshja e diplomatëve kanë kërkuar nga udhëheqësit në Prishtinë angazhim shtesë në dialog që do të shpie te njohja reciproke./Gazeta Sinjali/