Shtetet e Bashkuara thanë të dielën se po dërgojnë rreth 54 milionë dollarë ndihma të reja humanitare në Ukrainë, ndërsa ajo po përballet me pushtimin rus.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se ShBA-ja është e fokusuar në “nevojat urgjente humanitare të Ukrainës, si një pjesë e rëndësishme e përgjigjes sonë ndaj sulmit të paramenduar, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë”.
Kjo ndihmë e re që do të kanalizohet përmes OJQ-ve përfshin “sigurimin e ushqimit, ujit të pijshëm, strehimit, kujdesit shëndetësor emergjent, dimërimit dhe mbrojtjes”, tha Blinken në një deklaratë.
Blinken tha se ndihma e re do të ndihmojë gjithashtu grupet e ndihmës të mbajnë kontakte midis anëtarëve të familjes që janë ndarë nga lufta, “shpresojmë që të çojë në ribashkim në disa raste”.
Blinken lavdëroi vendet fqinje për pranimin e ukrainasve të arratisur “dhe ne po angazhohemi diplomatikisht për të mbështetur përpjekjet e tyre për të mbajtur kufijtë e tyre të hapur dhe për të ndihmuar ata që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare”.
Shtetet e Bashkuara tani i kanë ofruar Ukrainës rreth 405 milionë dollarë ndihmë që kur Rusia pushtoi për herë të parë Ukrainën në vitin 2014 dhe pushtoi gadishullin e Krimesë, thuhet në deklaratë.