image ShBA-ja arreston çiftin nga New York-u për vjedhjen e miliarda dollarëve në Bitcoin

Botë

ShBA-ja arreston çiftin nga New York-u për vjedhjen e miliarda dollarëve në Bitcoin

news image

Departamenti i Drejtësisë njoftoi të martën se kishte sekuestruar më shumë se 3.6 miliardë dollarë në Bitcoin që dyshohet se ishte vjedhur si pjesë e një hakimi të Bitfinex në vitin 2016, duke thënë se autoritetet kanë arrestuar gjithashtu një burrë dhe një grua në New York të dyshuar për këtë rast.

Zyrtarët thanë se sipërmarrësi i teknologjisë Ilya Lichtenstein, 34 vjeç dhe gruaja e tij reperja, Heather Morgan, 31 vjeç, u akuzuan për komplot për pastrim parash, raporton The Washington Post, përcjell Sinjali.

Ata akuzohen për përpjekje për të shpëlarë 119 mijë e 754 Bitcoin që u vodhën pasi një haker depërtoi në shkëmbimin e kriptomonedhave Bitfinex dhe nisi më shumë se 2 mijë transaksione të paautorizuara.

Prokurorët thanë se Bitcoin u dërgua në një portofol dixhital të kontrolluar nga Lichtenstein.

Në kohën e vjedhjes, kjo sasi Bitcoin kishte vlerë rreth 71 milionë dollarë. Por kriptomonedha është vlerësuar aq shumë gjatë viteve që nga ajo kohë, saqë vlera totale tani është rreth 4.5 miliardë dollarë.

Zyrtarët federalë thanë se ishin në gjendje të kapnin rreth 94 mijë Bitcoin të vjedhur, me një vlerë të vlerësuar prej 3.6 miliardë dollarë./GazetaSinjali/