image SHBA-ja akuzon Rusinë për shkelje të traktatit për qiej të hapur

Botë

Siguri/ SHBA-ja akuzon Rusinë për shkelje të traktatit për qiej të hapur

news image

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, e akuzoi Rusinë për shkelje të Traktatit për Qiej të Hapur, duke thënë se Moska e ka penguar SHBA-në të kryejë fluturime mbi Kaliningrad dhe pranë Gjeorgjisë. Fluturimet e tilla janë të lejuara me traktatin në fjalë.

“Neve na është mohuar edhe qasja në stërvitje ushtarake. Kam shumë shqetësime sa i përket traktatit”, tha Esper në një seancë dëgjimore në Kongresin amerikan. Traktati 18-vjeçar – i nënshkruar nga 34 vende, përfshirë Rusinë – synon të rrisë stabilitetin ndërkombëtar, duke u lejuar vendeve nënshkruese të kryejnë fluturime mbikëqyrëse mbi territoret e njëri-tjetrit, si dhe të vëzhgojnë instalimet ushtarake dhe objektet e tjera.

Gazeta Wall Street Journal ka raportuar në muajin tetor se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar një dokument që sinjalizon synimin e administratës së tij për t’u tërhequr nga Traktati i Qiejve të Hapur.

Adiministrata, megjithatë, nuk ka dalë publikisht me ndonjë plan. Esper i tha Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit se Moska po e shkel Traktatin “për shumë vite”. “Ne duhet të flasim më qartë për sjelljen e Rusisë”, tha ai. Traktati është një nga disa marrëveshjet për kontrollin e armëve që janë në prag të kolapsit, ose tashmë janë prishur.

Pas disa vitesh akuza kundër Moskës, administrata Trump, vitin e kaluar, është tërhequr nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, i cili ka datuar nga viti 1987. START-i i Ri, i cili vë limite mbi arsenalin bërthamor të Rusisë dhe SHBA-së, skadon në vitin 2021, nëse palët nuk pajtohen për zgjatjen e tij. /Gazeta Sinjali/