image SHBA e shqetësuar mbi zhvillimet: Duhet të fillojnë negociatat për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe

Politikë

SHBA e shqetësuar mbi zhvillimet: Duhet të fillojnë negociatat për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe

news image

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës ka deklaruar se institucionet e Kosovës duhet të fillojnë negociatat për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Në një përgjigje ekskluzive për klanin, lidhur me zhvillimet e fundit në vend, thuhet se Asociacioni i Komunave Serbe është obligim ligjor i Kosovës.

Ndër tjerash, ambasada ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti edhe njëherë që të shtyjë menjëherë afatin për zbatimin e marrëveshjet për targat me Serbinë.

Tutje, thuhet se serbët të cilët janë larguar nga institucionet e Kosovës duhet të kthehen në punë.

Përgjigjia e plotë për klanin:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shqetësuese dhe e vënë në rrezik progresin e rëndësishëm të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.

Të gjithë të përfshirët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet, për të siguruar paqen dhe stabilitetin në terren. Veprimet dhe retorikat që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetën e të pafajshmëve dhe të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren.

Prandaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre nga procesi i dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale.

Në të njëjtën kohë, ne përsëri i bashkohemi BE-së për t’i kërkuar autoriteteve kosovare që të respektojnë detyrimet e tyre pa ndonjë vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM,derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të Dialogut.

Kjo gjithashtu nënkupton fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASM). Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që ASM duhet të krijohet, gjë që e bën themelimin e ASM-së obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës.

Lidhur me mesazhin tonë drejtuar lidershipit kosovar dhe atij serb:

Është përgjegjësi e të dyja palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin në terren. Veprimet, të tilla si djegia e makinave ose retorika frikësuese, janë të papranueshme dhe do të nxisin një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar.

Ne u bëjmë thirrje atyre që të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar për të lehtësuar negociatat. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

/GazetaSinjali/