Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara “janë pajtuar për të forcuar angazhimin e përbashkët në Ballkanin Perëndimor, në mbështetje të progresit të rajonit në rrugëtimin evropian”.
Kështu është thënë në një deklaratë të përbashkët të SHBA-së dhe BE-së, të publikuar më 20 tetor.
“Pas javëve të fundit të tensionit në veri të Kosovës, ne inkurajojmë të dyja palët që të angazhohen në de-përshkallëzimin e vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm dhe të shmangin veprimet që kërcënojnë stabilitetin”, thuhet nga ambasada amerikane.
Po ashtu u tha se mirëpresin dhe mbështesin angazhimin e Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Ritheksojmë se dhuna kundër civilëve, gazetarëve, policisë ose autoriteteve të tjera është e papranueshme”, shkruhet tutje. /Gazeta Sinjali/