Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë thirrje që të respektohet rezultati zgjedhor në Shqipëri, i dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, raporton Gazeta Sinjali.
Zëdhënësi i Deparamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se Shtetet e Bashkuara e përgëzojnë popullin e Shqipërisë për mbajtjen e zgjedhjeve dhe se do të punojnë në partneritet të ngushtë me kryeministrin e rizgjedhur, Edi Rama.
Përmes kësaj deklarate, SHBA gjithashtu përgëzon opozitën për fushatën e saj të fuqishme.
“SHBA përgëzon popullin e Shqipërisë për zgjedhjet e tyre të fundit. Ne shpresojmë të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Kryeministrin Rama dhe të përgëzojmë fushatën e fortë të opozitës. Respektimi i rezultateve të zgjedhjeve legjitime forcon demokracinë e Shqipërisë”, shkroi Price në Twitter.
Ndërkaq, ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, tha se duke njohur rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, udhëheqësit do të veprojnë me përgjegjësi për të mirën e popullit shqiptar.