Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, ende nuk janë deklaruar për mohimin ekzistencës së Masakrës së Reçakut nga autoritetet serbe ku mbetën të vrarë 45 kosovarë.
Fjalët e Aleksandar Vulin që Masakra e Reçakut është ‘gënjeshtër’, ka zgjuar vëmendjen e ShBA-së, BE-së dhe të William Walker.
Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se masakra e Reçakut është e mirë-faktuar dhe se glorifikimi i krimeve të luftës çnderon viktimat.
“Mizoritë që ndodhën në Reçak në janar 1999, përfshirë masakrën ndaj civilëve, janë të mirë-dokumentuara. Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe glorifikimi i krimeve të luftës sjell dhimbje për të mbijetuarit, çnderon viktimat dhe përjetëson ndarjet e vazhdueshme që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor”, deklaruan ata për lajmi.net.
Zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se Masakra e Reçakut nuk mund të mohohet, dhe as nuk duhet të modifikohet ajo që ndodhi në këtë fshat të Kosovës më 1999.
“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”, tha Stano për Radion Evropa e Lirë.
Ish-diplomati amerikan, William Walker, deklaroi se përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktualë në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë.
“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, deklaroi ai.
Edhe Natasha Kandiq ka reaguar. Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për strategjinë e Serbisë për të prodhuar një “histori të re”.
“Ajo, për të cilën flet ministri Vulin, është detyrë e tij politike dhe, përderisa është në Qeveri dhe përderisa e ka për detyrë të interpretojë atë që ka ndodhur në të kaluarën, ne nuk kemi rrugëdalje nga kjo klimë që ka çimentuar nacionalizmin ekstremist etnik”, thotë Kandiq.
Ndërsa deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se pohimet e Vulinit për Reçakun janë më pak problematike se heshtja e presidentit Aleksandar Vuçiq.
“Pohimet e Ministrit Vulin për Reçakun janë më pak problematike se heshtja e Presidentit Vuçiq. Heshtje që dëshmon se Vuçiqi pajtohet me Vulinin. Se Vulini i thotë mendimet e Vuçiqit që nuk dëshiron t’i thotë publikisht. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i reagojnë dhe t’i bëjnë para së gjithash presion Vuçiqit, si shef dhe mbrojtës i Vulinit”, ka shkruar Kamberi.
Por, ndaj këtyre deklaratave nuk kanë reaguar as kryeministri, as presidentja e asnjë nga kabineti qeveritar.