image Serbia vazhdon ndërtimet në veri të Mitrovicës

Sociale

Serbia vazhdon ndërtimet në veri të Mitrovicës

news image

Ndërtimi i shtëpive nga Qeveria e Serbisë nëpërmjet kompanive shqiptare të Kosovës për serbët në veri të vendit edhe më tej vazhdon. Janë disa ndërtesa kolektive të ndërtuara nga serbët në veri të Mitrovicës, teksa në rrugën e Suhadollit afër lagjes së ‘Doktorëve’ janë lëshuar për banim dy objekte.

Madje, kjo ka qenë arsyeja që të dielën në Mitrovicën e Veriut ka qëndruar ndihmësdrejtoresha e Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Jelena Stojkoviq.

Qëllimi i vizitës së saj ishte dorëzimi i çelësave të banesave për 12 familje në këtë qytet. Por, banorët shqiptarë të kësaj ane thonë se në tërë veriun Serbia është duke ndërtuar objekte të larta për banorët serbë.

“Vetëm muajin e fundit në lagjen e Boshnjakëve janë shitur pesë shtëpi. Bëhet fjalë për pesë shtëpi shqiptare të shitura, të cilat qeveria e Serbisë i blen dhe më pas përmes strukturave paralele i rrënon ato dhe bënë ndërtimin e objekteve kolektive”, ka theksuar për RTK-në, Bashkim Cimili, banor i veriut të Mitrovicës.

Të tjerët banorë shqiptarë janë të shqetësuar se përmes këtyre ndërtimeve po tentohet të bëhet kolonizimi i kësaj pjese nga Serbia. Ndërtimi i këtyre objekteve pothuajse po bëhet komplet nga kompanitë shqiptare.

“Të gjithë ata që janë ardhur prej Serbisë bëjnë një okupim nën dirigjimin e kriminelit Aleksandër Vuçiq dhe vijnë investojnë me pare të Serbisë dhe Rusisë me kontrabandistë shqiptarë. Të gjitha ndërtimet janë prej punëtorëve shqiptarë në krejt veriun”, ka treguar Fevzi Beqiri, një tjetër banor i veriut të Mitrovicës.

Kryetari i KMDLNJ-së për rajonin e Mitrovicës, Halit Barani, thotë se një vëmendje më e madhe e Serbisë për këtë pjesë shihet muajve të fundit.

“Të gjitha objektet janë pa leje të institucioneve të Republikës së Kosovë. Kush po do po bën çka po dëshiron në pjesën e okupuar të qytetit, sepse këtu veprojnë të gjitha institucionet e Serbisë”, ka thënë Berani.

Të dielën 12 familjeve serbe në veri të Mitrovicës, nga zyrtarët e Beogradit, u janë dorëzuar çelësat e banesave të reja. E përveç kësaj, serbët ende shfrytëzojnë në formë uzurpimi mbi 400 banesa të banorëve shqiptarë të veriut. /GazetaSinjali/