Në marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nga Kosova dhe Serbia më 4 shtator skadon zotimi i Serbisë për të mos lobuar për çnjohjet e Kosovës, transmeton Gazeta Sinjali.
Dhe siç duket Beogradi tashmë është gati që të filloj me fushatën e tyre.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq deklaroi se fill pas kësaj date është gati tërheqja nga njohja e Kosovës e një shteti.
Bëhet fjalë për një vend të vogël ishullor, njohur si Ishujt Comoro të vendosur në kanalin mes Madagaskarit, Tanzanisë dhe Sejçeles.
Këta ishuj kanë njohur pavarësinë e Kosovës që në vitin 2009, ndërkohë që tërheqja e njohjes së njoftuar nga Ivica Daçiq është pasqyruar në mediat serbe.
Marrëveshja e nënshkruar vitin e kaluar në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ish-Presidentit Donald Trump ndalonte për një vit fushatën serbe të çnjohjeve të Kosovës dhe po me një vit Kosovën nga lobimi për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Marrëveshja gjithashtu parashikonte që të dyja vendet të zhvendosnin ambasadat e tyre në Jeruzalem. Kosova e mbajti këtë premtim dhe Ambasada e saj ndodhet aktualisht në Jeruzalem dhe në këmbim Izraeli ka njohur Pavarësinë. Ndërkohë, Serbia është tërhequr nga ky premtim dhe vijon ta mbajë ambasadën e saj në Tel Aviv.