Kombëtarja e Kosovës në Volejboll do të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik në Beach Volley U-20, por që atyre iu doli një problem në kufirin me Serbinë, ku këta të fundit nuk i lanë të kalojnë tutje.
Kampionati Ballkanik i Volejbollit në rërë mbahet në Rumani dhe Kosova merr pjesë me dy ekipe të grupmoshave U-20, tek gratë garojnë me dyshen Yllka Jashari e Melirona Avdullahu nën drejtimin e Vildane Jasharit, ndërsa tek burrat garojnë me Erion Bajramin e Albi Maculen të drejtuar nga Faton Mustafa.
Ekipet nga Kosova për në Rumani u nisën në natën e mbrëmshme, por që në kufi me Serbinë u penguan të kalojnë kështu që u detyruan të ndërrojnë itinerarin e udhëtimit, duke marrë rrugën nga Bullgaria për të arritur në Rumani.