Serbia ka kërkuar nga BE-ja dhe UNDP-ja që të mos japin para për ta restauruar shtëpinë e Xhafer Devës në Mitrovicë, që ka nisur tash e një javë.
Sipas ministres së Kulturës dhe Informimit në Serbi, Maja Gojkoviq, Deva “ka përgatitur e kryer krime ndaj serbëve dhe hebrenjve”.
“Ky është një kolaboracionist famëkeq nazist, i cili ishte aktiv në formimin e divizionit SS Skënderbeu, i njohur për përgatitjen dhe kryerjen e krimeve kundër popullatës serbe dhe hebreje”, tha Gojkoviq, duke theksuar se u ka shkruar përgjegjësve në BE dhe UNDP për këtë çështje.
Shtëpia e politikanit shqiptar nga Mitrovica, Xhafer Deva është bërë çështje gati 44 vjet pas vdekjes së tij. Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë ka dalë kundër këtij restaurimi duke rikujtuar se Deva ka qenë kolaboracionist i nazistëve. Por, restaurimi ka një javë që ka nisur dhe ai mbështetet edhe nga paratë e Bashkimit Evropian, pjesë e të cilit është edhe Gjermania.