Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit i është ndaluar shkuarja në Beograd nga autoritetet e Serbisë. Bislimi ishte nisur drejt Beogradit më 27 tetor për të marrë pjesë në dy tryeza diskutimi për çështjet e dialogut Kosovë-Serbi. Njëra ishte me me temën “Kosova dhe perspektiva evropiane e rajonit”, në kuadër të Forumit për Marrëdhënie Etnike kurse tjetra është Konferencë e Sigurisë së Beogradit me temën “Kosova dhe Serbia – shmangia e rrugës pa dalje”.
Megjithatë, Bislimi do të marrë pjesë por jo fizikisht.
Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin, zëdhënësi për media i zyrës së Bislimit, Klisman Kadiu.
“Po, nesër do ketë pjesëmarrje në konferencat e parapara përmes formës online”, u shpreh ai.
Ndërsa shtoi se për këtë ngjarje janë njoftuar faktori ndërkombëtar.
Ndryshe, Bislimi ishte nisur drejt Beogradit në ditën e njëjtë kur Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – dhe zyrtarët në Serbi, paralajmëruan se do të ketë barrikada në veri, nëse pas 31 tetorit, Kosova konfiskon makinat dhe targat serbe.
Nga 1 shtatori deri më 31 tetor, Qeveria e Kosovës ka thënë se serbët në Kosovë mund të pajisen me targat RKS (Republika e Kosovës) për të zëvendësuar targat që Serbia i lëshon për ta.