image Serbia arreston kosovarin që jeton në Zvicër – kishte shkuar në Beograd për analiza të nënës

Kosovë

Reagim/ Serbia arreston kosovarin që jeton në Zvicër – kishte shkuar në Beograd për analiza të nënës

news image

Policia e Serbisë ka arrestuar Nezir Mehmetaj. Ndaj arrestimit të tij ka reaguar ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli , i cili ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Mehmetajt.

Sipas Pacollit, Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe menjëherë të ndalojë me përndjekjet politike.

“Ne e dënojmë arrestimin e shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj nga policia serbe dhe bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij. Zyra jonë e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit. Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe menjëherë të ndalojë me përndjekjet politike. Kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit dhe Brukseli, nga ana tjetër, duhet të marrë masa urgjente për të parandaluar veprimet e Beogradit kundër qytetareve të Kosovës dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve”, thuhet në reagim.

Nezir Mehmetaj nga fshati Rudicë e Klinës, të premten është ndaluar nga Policia serbe në pikën kufitare në ‘Merdare’.

Rastin e kanë bërë të ditur familjarët e tij. Neziri jeton që 25 vite në Zvicër, dhe kishte qenë për pushime në Kosovë, por për shkak që nëna e tij ishte e sëmurë, ai kishte shkuar në Beograd, për t’ia bërë analizat.

Teksa po kthehej në Kosovë, ishte ndaluar në kufi nga doganierët serbë, duke i thënë se gjendet në ‘Stop listë’.

Me të në veture gjendej nëna e tij dhe një kushëri, ndërkaq, që të dy janë liruar. Neziri, përmes një mesazhi i ka thënë familjes së tij se janë duke e dërguar në Beograd, ndërkaq asgjë tjetër nuk dinë.

Familja e Nezir Mehmetajt, ka apeluar të institucionet e vendit që të ndërmarrin masa që të kuptohet arsyeja e ndalimit të Nezirit