Mediat zvicerane raportuan ditëve të fundit se ish-raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, më shumë se një vit po jeton në masa të forta sigurie për shkak të kërcënimeve që vijen nga shërbimet intelegjente serbe.
Por ka reaguar BIA ndaj kërcënimeve të supozuara me vdekje ndaj ish-raportuesit të Këshillit të Evropës që hetonte “krimet” e UÇK-së dhe trafikimin e organeve njerëzore, Dick Marty.
Sipas një deklarate të dorëzuar për agjencinë Tanjug, Agjencia e Informacionit të Sigurisë i ka dërguar sot një letër Shërbimit Federal të Inteligjencës Zvicerane (FIS), në të cilën dënon dhe mohon ashpër pretendimet dashakeqe për përfshirjen e shërbimeve të sigurisë serbe në planifikimin e vrasjes së dikujt.
Kështu sipas mediumit serb, BIA ka reaguar ndaj kërcënimeve me vdekje ndaj ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, i cili hetonte “krimet” e UÇK-së dhe trafikimin e organeve njerëzore, Dick Marty, i cili, siç pretendon ai, vjen nga “qarqe të caktuara të shërbimeve sekrete serbe”.
“Në këto momente të vështira, pretendime të tilla i shkaktojnë padrejtësisht dëme të pallogaritshme Serbisë dhe reputacionit të BIA-s dhe anëtarëve të saj, të cilët janë të përkushtuar dhe profesional në kryerjen e detyrave të tyre ekskluzivisht në përputhje me ligjin. Pavarësisht nga të gjitha presionet dhe përpjekjet për destabilizimin BIA do të vazhdojë të punojë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të Serbisë dhe qytetarëve të saj”, thuhet në deklaratë të BIA-s.
Agjencia “Tanjug” ka raportuar edhe një deklaratë të avokatit Goran Petronijeviq. E sipas tij, “dorëshkrimi përmes të cilit u kërcënua Marty, është vepër e britanikëve ose edhe e shqiptarëve”.
“Ky është dorëshkrim i MI-6 (Inteligjenca britanike), por nuk e përjashtoj mundësinë që është edhe i shërbimit inteligjent shqiptar”, tha avokati nga Beogradi.
Në dhjetor 2020, Marty-t iu ofrua një nivel i lartë mbrojtjeje policore. Në një intervistë për të përditshmen zvicerane, ai tha se më 18 dhjetor 2020, ka marrë një telefonatë nga policia kur i është thënë se jeta e tij është në rrezik dhe se do të vendoset nën mbrojtje të lartë policore pasi është “në shënjestër te vrasësit serbë”.
Ai shpjegoi se ka qenë nën mbrojtjen më të lartë të policisë që atëherë dhe i është ofruar të ndryshojë identitetin dhe adresën, por ai nuk ka pranuar.
Në atë intervistë, Marty tha se kërcënimi me vdekje “duket se vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe“, të cilat, siç thotë ai, u kërkonin vrasësve të paguar nga nëntoka që ta vrisnin për t’ua “fajësuar shqiptarëve nga Kosova“.
Marty është autor i një raporti për Këshillin e Evropës në vitin 2010, në të cilin ai dënoi “krimet” e UÇK-së, duke përfshirë “shtëpinë e verdhë”.