image Selmanaj paralajmëron kallëzim penal ndaj Berishajt: Na ka gënjyer gjatë raportimit në Kuvend

Politikë

Selmanaj paralajmëron kallëzim penal ndaj Berishajt: Na ka gënjyer gjatë raportimit në Kuvend

news image

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka paralajmëruar se do ta padisë Ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për deklarim të rrejshëm.

Sipas Selmanajt, ambasadori ka gënjyer nën betim gjatë raportimit në Komisionin Hetimor për Energjinë në nëntor të vitit të kaluar, ku kryetar është Selmanaj.

Ky i fundit gjersa po fliste në Kuvendin e Kosovës për çështjen e Berishajt, i cili u përfshi në një skandal financiar në Slloveni, ka thënë se ka qenë insistuesi më i madh që të pyes ambasadorin se a është pronar i kompanisë MB Consulting, përmes së cilës dyshohet se ai kishte pranuar 600 mijë euro nga kompania energjetike sllovene GEN-I, dega në Beograd.

“Përgjigja e tij ishe kështu: Po, është një kompani të cilën e kam formuar në vitin 2017 në Mal të Zi. Ajo nuk funksionon që nga viti 2020, nuk ka hyrje e dalje, nuk qarkullon para”, ka thënë deputeti i LDK-së, teksa po lexonte transkriptin nga mbledhja e Komisionit, ku ishte intervistuar Berishaj.

Megjithatë sipas Selmanaj, më vonë është kuptuar se në vitin 2022 Berishaj ka tërhequr para në Kosovë me arsyetimin për nevojat e biznesit.

“S’po e kuptoj pse gjithë ky zell me mbrojt një person që na ka gënjyer. Ai nënshkroi deklaratën nën betim, ku kërkohej të thotë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, e më pastaj na gënjen, thotë se MB Consulting është shuar në vitin 2020. Unë në cilësinë e kryesuesit të Komisionit kam detyrim kushtetues dhe qytetar ta procedojë kallëzimin penal për Martin Berishaj nesër. Gënjeshtra nuk mund të kalojë”, ka thënë ai. 

/GazetaSinjali/