Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se si parti përshëndesin aksionet e institucioneve të drejtësisë lidhur me dyshimet për keqpërdorime në KEK.
Ai ka thënë se qasja e Qeverisë Kurti me KEK-un ka qenë e papranueshme që nga kapja e kësaj ndërmarrje nga aktivistët e VV-së e deri tek emërimi i Nagip Krasniqit në krye të Bordit.
Selmanaj ka thënë se vetëm pas themelimit të Komisionit Hetimor, KEK-u e kishte anuluar konkursin për plotësimin e 150 pozitave të lira.
“LDK në vazhdimësi ka ngritur shqetësimet në këtë korporatë, që nga mënyra se si kjo Qeveri ka menaxhuar krizën energjetike, shtrenjtimin e rrymës dhe punësimin masiv të familjarëve dhe aktivistëve të VV-së.
Ai tutje ka shtuar se për Nagip Kransiqin kanë kërkuar hetimet penale edhe për raste të tjera.
“Ne kemi kërkuar hetim penal për Nagip Krasniqin edhe për raste tjera. Vazhdimi i tregtimit të energjisë nga HSE që operonte pa licencë në Kosovë dhe për këtë ishte njoftuar edhe nga ZRRE, këtë e ka konfirmuar edhe vetë Nagip Krasniqi, që kishte deklaruar se edhe përkundër se kishte pranuar email nga ZRRE për mungesën e licencës, ai ka vazhduar operimin dhe bashkëpunimin sepse ai e interpreton ligjin vet dhe nuk i nënshtrohet ZRRE-së.
Selmanaj ndër të tjerash ka thënë se LDK pret dhe shpreson që hetimi të mos ndalet deri tek zbardhja e të vërtetës dhe rolit të Martin Berishajt, ministres së zhvillimit ekonomik dhe kryeministrit Albin Kurti, meqë thotë se LDK është e bindur që Nagip Krasniqi s’ka qenë i vetëm në aktivitetet milionëshe brenda KEK-ut.
“Presim dhe shpresojmë që hetimi të mos ndalet derisa të zbardhet e vërteta, edhe rolin e ambasadorit Martin Berishaj., Ministres së Zhvillimit Ekonomik dhe kryeministrit Kurti në gjithë këtë proces.
Jemi të bindur që z.Krasniqi nuk ka qenë i vetëm në këto aktivitetet shumë milionëshe dhe të paligjshme”, ka thënë Selmanaj.
Ai tutje ka thënë se duhet të zbardhet edhe nëse ka pasur takim në mes të Nagip Krasniqit dhe ambasadorit Martin Berishaj.
“Duhet të konfirmohet nëse ka pasur takim mes Nagip Krasniqit dhe Martin Berishajt në Zagreb. Ai në Komision e ka mohuar kategorikisht këtë takim. Dua ta citoj se cfarë ka thënë. “Kurrë në jetë s’e kam takuar”, por pas pak sekondash ka thënë se “përvec një herë rasishst para dy-tri ditëve dhe aq më pak në Zagreb”.