Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, tha se vendimi i presidentit Hashim Thaçi sot për të dekretuar Avdullah Hotin si kryeministër nuk është i rastësishëm.
Sipas Selimit, Thaçi ka shfrytëzuar këtë fundjavë duke e ditur që nesër është ditë feste zyrtarisht dhe Gjykata Kushtetuese nuk mund të marr vendim për vlerësim të Kushtetueshmërisë.
“Prandaj ne sot ju kemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlersim të Kushtetueshmërisë për dekretin e Thacit. Kjo ka qenë e organizuar që Gjykata të mos mund të marr vendimin në fundjavë, pasi që edhe nesër është një festë zyrtare”, tha Selimi.
Teksa, Selimi thekson se pikërisht ky organizim i qëllimshëm i presidentit Thaçi, duhet ta ketë parasysh Gjykata Kushtetuese dhe të ndërmarrë një vendim për masën e parandalimit të këtij dekreti.
“Pikërisht kjo duhet t’i paraprinte që Gjykata Kushtetuese të ndërmarrë një vendim për masën e parandalimit të këtij dekreti. Pres që Gjykata të merr vendimin, sepse nuk besoj që Gjykata Kushtetuese të marrë vendim ndryshe nga ajo se çfarë ne presim. Nuk është e rastësishme që është marrë ky vendim pikërisht në ditën e enjte”, tha Selimi në Debat Plus./ Gazeta Sinjali.