image Selimi: Bashkëpunimi me EUROJUST, hap i rëndësishëm për Kosovën

Drejtësi

Selimi: Bashkëpunimi me EUROJUST, hap i rëndësishëm për Kosovën

news image

Fillimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe EUROJUST, si hap të rëndësishëm për vendin e ka cilësuar Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Selimi ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në konferencë virtuale, duke u bërë kështu ministri i parë që merr pjesë në forumin e EUROJUST.

Shkrimi i plotë i Selimit:

Hap i rëndësishëm në fillimin e bashkëpunimit bilateral mes Republikës së Kosovës dhe EUROJUST

Në vijim gjeni fjalimin tim të plotë:

I nderuar President Hamran,

Të nderuar kolegë,

Me shumë kënaqësi po ju drejtohem sot në këtë konferencë virtuale dhe për herë të parë duke marrë pjesë në një forum të EUROJUST. Në të vërtetë, dy muajt e fundit kanë qenë shumë përpjekës për të gjithë ne. Kriza e COVID-19 ka qenë shumë sfiduese për shoqërinë tonë dhe gjyqësorin në të gjithë vendin. Masat e marra në nivel kombëtar për të parandaluar përhapjen e virusit patën një efekt pasues në bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në çështje penale.

Sidoqoftë, Kosova mbetet e vendosur në përpjekjet e saj në luftën kundër krimeve të rënda ndërkufitare dhe përfundimisht drejt sundimit efektiv të ligjit dhe zbatimit të drejtësisë. Bashkëpunimi juridik ndërkombëtar i frytshëm është thelbësor për arritjen e këtyre objektivave. Operacionet e Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës, në cilësinë e saj si Autoritet Qendror, janë ndikuar nga situata aktuale në një masë të dukshme. Kjo ka sjellë në sipërfaqe, edhe një herë, nevojën e institucioneve tona për mbështetje efikase dhe cilësore të autoriteteve kompetente dhe forcimin e bashkëpunimit operacional me partnerët kryesorë në rastet e krimeve të rënda ndërkufitare, duke iu përshtatur këtij mjedisi në ndryshim.

Kështu, natyrshëm rrjedh se ekziston një nevojë operative për EUROJUST dhe Republikën e Kosovës për të vendosur bashkëpunim si partnerë strategjikë, në mënyrë që të forcojmë rrjetin tonë në luftën kundër krimeve të rënda ndërkufitare. Autoritetet gjyqësore kosovare shpresojnë të përfitojnë nga mjetet praktike të bashkëpunimit të ofruara përmes EUROJUST, nga lehtësimi i ndihmës së ndërsjellë juridike, përdorimi i instrumenteve të njohjes reciproke dhe koordinimi i çështjeve penale.

I nderuar President Hamran, kujtoj që EUROJUST tashmë ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me të katër vendet fqinje të Kosovës. Bashkëpunimi mes institucioneve të drejtësisë shkon përtej politikës. Kosova me hapjen e këtij bashkëpunimi do të jetë pjesë e EUROJUST dhe një hap para integrimit euroatlantik. Vendosja e bashkëpunimit me Kosovën gjithashtu, do të prodhonte rezultate më efektive dhe të qëndrueshme në luftimin e krimit të organizuar ndërkufitar në rajon.

Prandaj, unë shfrytëzoj këtë mundësi për të shprehur interesimin tonë për të ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme për të përfunduar një marrëveshje bashkëpunimi midis EUROJUST dhe Kosovës, e cila do të vendoste bazat për arritjen e qëllimit tonë të përbashkët për drejtësi dhe siguri”

Faleminderit për vëmendjen tuaj dhe pres përgjigjen tuaj pozitive.

/Gazeta Sinjali/