Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB i tha presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se kur ta përmend emrin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet të ngrihet në këmbë, pasi që, sipas tij, Vuçiq është edhe president i saj.
“Zonja Osmani duhet të qëndroni në këmbë kur të përmendi Aleksandar Vuçiq sepse është edhe presidenti i juaj dhe duhet t’i kushtoni respekt”, është shprehur Selakoviq.
Para Këshillit të Sigurisë, ai hodhi akuza të rënda në drejtim të krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin si kasap të Ballkanit.
“Ndërsa sa i përket kasapit të Ballkanit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit e të tjerëve të cilët kanë kidnapuar qytetarë të pafajshëm dhe kanë tregtuar me organe njerëzore janë në burg dhe po përballën me gjyqin”, deklaroi kryediplomati serb.
Madje, ai pretendoi se Kosova ka manipuluar me numrin e grave të dhunuara gjatë luftës së fundit, duke thënë se në një raport që sekretari i përgjithshëm i UNMIK-ut e ka dhënë në Këshillin e Sigurisë, në Kosovë janë dhunuar vetëm 920 gra, e jo 20 mijë.
“Duhet të ndaloni të gënjeni për 20 mijë raste të dhunës gjatë luftës sepse bazuar në raportin e dhënë këtu tek Këshilli i Sigurimit të OKB-së, nga sekretari i përgjithshëm në misionin e UNMIK i prezantuar më 5 prill 2021, statusi i grave të dhunuar është konfirmuar jo tek 20 mijë gra por 920 raste”, ka thënë Selakoviq në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së./GazetaSinjali/