image Sektori sigurimeve nga minus 24,7 milionë euro humbje, në 9.9 milionë euro fitim

Kosovë

Sektori sigurimeve nga minus 24,7 milionë euro humbje, në 9.9 milionë euro fitim

news image

Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) pasqyrojnë shumë saktë rezultatet e një angazhimi të madh për rregullimin dhe reformimin e sektorit të sigurimeve në vend.

Gjatë tetë viteve, pra 2016-2023 janë bërë punë dhe ndryshime të mëdha, e që falë tyre sektori i sigurimeve sot është krejtësisht tjetër, i barabartë me ato të shteteve të zhvilluara Evropiane.

Gjatë kësaj periudhe kohore është bërë ndryshimi i Ligjit të Korporatave e që në masë të madhe ky ligj kishte dëmtuar sektorin e sigurimeve në vend, pasi që deri në ndryshimet ligjore kompanitë kanë paguar tatime shtesë prej 5 % të qarkullimit bruto.

Gjithashtu, me vendim të Gjykatës Kushtetuese gjatë kësaj periudhe kohore të cilës i referohem është ndryshuar edhe Ligji për Kryqin e Kuq, ku deri në shfuqizimin e këtij ligji kompanitë është dashur të paguajnë për ketë Institucion 1 % të qarkullimit të përgjithshëm.

Gjatë kësaj periudhe kohore me vendim të Bankës Qendrore të Kosovës nga tregu i sigurimeve janë hequr edhe dy kompani të sigurimeve të cilët nuk kishin rënë nën kushtet ligjore të parapara me ligjet në fuqi.

Zvogëlimi i automjeteve të paregjistruara në vend gjithashtu ka ndikuar dukshëm në rregullimin e tregut. Në këtë drejtim është duke u punuar në vazhdimësi, projekti për vendosjen e stikersave ka dhënë rezultate konkrete. Gjatë vitit që vjen rezultatet në këtë drejtim do të jenë edhe më të dukshme.

Për ndryshimet pozitive gjatë kësaj periudhe kohore sektori i sigurimeve është përmendur edhe në konotacion pozitiv edhe në raportin e progresit për Kosovën

Pra, referuar të dhënave zyrtare më 2016 sektori i sigurimeve ka mbyllur vitin me 24,7 milionë euro humbje, deri sa në fund të muajit korrik të këtij viti, pra për shtatë muaj sektori ka gjeneruar një profit neto prej 9,9 milionë euro.

Falë ndryshimeve që janë bërë në aspektin teknik Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për tu bërë pjesë e Byrosë së Kartonit të Gjelbër.

/GazetaSinjali/