image Sekretarja e shkollës fillore në Fushë Kosovë vetizolohet, burri i saj doli pozitiv me koronavirus

Shëndetësi

Sekretarja e shkollës fillore në Fushë Kosovë vetizolohet, burri i saj doli pozitiv me koronavirus

news image

Sekretarja e shkollës fillore “Mihail Grameno”, në Fushë Kosovë është vetizoluar pasi burri i saj të dielën ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Deri sot, sipas inspektorit Blerim Berisha, ajo ende nuk ka bërë testin për koronavirus për shkak se IKSHPK e ka lënë në listë për pritje.

“Është në vetizolim sepse burri i saj ka rezultu pozitiv të dielën, ende nuk e ka bërë testin sepse IKSHPK është duke pas probleme, sipas informatave jo zyrtare që i kemi, edhe nuk po kanë teste shumë, për shkak të rritjes së numrit të rasteve”, tha Berisha në një prononcim për Gazetën Sinjali.

Ndërkohë, sipas Berishës, sekretarja e shkollës nuk ka pasur kontakte me stafin, për shkak se ka qenë mbyllur shkolla.

“Sa kam informata unë, ajo është e vetizoluar, nuk ka simptoma, mirëpo, pasi që burri i ka rezultu pozitiv, dhe ai e ka vendimin për vetizolim, edhe sekretarja është vetizoluar. Momentin që ia marrin mostrat dhe vijnë rezultatet ne nuk i fshehim”, tha Berisha.

“Bashkëshorti i sekretares së shkollës tonë ka rezultuar pozitiv me koronavirus, bile ajo vet na ka lajmëruar të dielën. Pas kësaj i kam thënë që të mos vjen në shkollë dhe ne i gjithë stafi që kemi qenë në shkollë me nxënës i kemi ndërprerë takimet tona”, ka thënë drejtori i shkollës “Mihail Grameno” Ismet Gashi.

Ndryshe nga 8 shkurti deri më 16 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 19.312 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.

Nga testimet e deritashme pozitive kanë rezultuar 1.756 raste. Deri tani nga COVID-19 janë shëruar 968 persona, ndërsa janë 34 pacientë që kanë vdekur pas infektimit me koronavirus, por që kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese./ Gazeta Sinjali/