Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, për shkak të rrethanave të reja me përhapjen e shpejtë të virusit Corona, konferencën e tij vjetore për shtyp për rezultatet e NATO-s në vitin 2019, e ka mbajtur nga selia e Aleancës, por pa praninë e gazetarëve.
Në vend të kësaj, gazetarët e kanë ndjekur paraqitjen e tij përmes video-lidhjes dhe në mënyrë të tillë kanë bërë edhe pyetje.
Jens Stoltenberg ka thënë se NATO-ja, sikur të gjithë të tjerët, po përballet me një situatë të paprecedent. “Shumë ushtarë të NATO-s në operacionet nga Afganistani e deri te Kosova, do të donin që në këto kohë të jenë në shtëpitë e tyre me familjet e tyre”, ka thënë ai duke shtuar se NATO-ja po ashtu ka ndërmarrë të gjitha masat për ta mbrojtur personelin e vet kudo që të jetë. Në selinë e NATO-s në Bruksel janë të obliguar t’i zbatojnë edhe masat që ka vendosur Qeveria e Belgjikës, e ato janë mjaft të rrepta, shkruan koha.
Në konferencën virtuale për shtyp, ku pyetjet parashtroheshin përmes lidhjes me Skype, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nuk është përgjigjur direkt në pyetjen se a ka NATO indikacione apo paralajmërime për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga misioni i KFOR-it në Kosovë. Ai vetëm ka përsëritur se KFOR-i do ta vazhdojë mandatin në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe se mbështet dialogun Kosovë – Serbi. /Gazeta Sinjali/