Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha më 19 shkurt se ushtria ruse është “e gatshme ta sulmojë” Ukrainën, edhe pse ai tha se shpreson që presidenti rus, Vladimir Putin, do të tërhiqet nga nisja e luftës.
Austin u zotua se Uashingtoni do të qëndronte me aleatët e Baltikut. Ai këto komente i bëri gjatë vizitës në Lituani, teksa frika është rritur se Rusia do ta pushojë Ukrainën.
Rusia mohon se ka plane për ta pushtuar Ukrainën.
“Unë dua që të gjithë në Lituania, Estoni dhe Letoni ta dinë – dua që edhe presidenti Putin në Kremlin ta dijë – se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë aleatëve tanë”, tha Austin gjatë një konference për media në Vilnius, pas takimeve me liderët e Lituanisë.
Në konferencën me Austin, ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, tha se grumbullimi i trupave ruse përreth Ukrainës ishte “një kërcënim i drejtpërdrejt ushtarak ndaj Ukrainës, por po ashtu përbën kërcënim për gjithë rajonin”.
“Beteja për Ukrainën është betejë për Evropën. Nëse ai nuk ndalohet aty, ai do të shkojë më tutje”, tha Landsbergis, duke iu referuar presidentit rus, Vladimir Putin.
Austin tha se pajtohet me presidentin amerikan, Joe Biden, se Putin “ka marrë vendimin” që ta pushtojë Ukrainën.
“Ka forca të konsiderueshme që janë dislokuar, dhe ato forca tani kanë filluar t’i afrohen kufirit, gjë që lehtëson lëvizjen e tyre të ardhshme”, tha ai.
Rusia ka vendosur mbi 150,000 trupa në kufijtë e Ukrainës. Zyrtarët amerikanë dhe të NATO-s thonë se Rusia po vazhdon të grumbullojë trupa, pavarësisht pretendimeve të Rusisë se ka filluar të tërheqë trupat e saj nga kufiri.