image Sejdiu: Unë nuk jam kandidati konsensual i LDK-së

Politikë

Sejdiu: Unë nuk jam kandidati konsensual i LDK-së

news image

Ish-kryetari i LDK-së Fatmir Sejdiu ka thënë se Kuvendit të nesërm zgjedhor të LDK-së nuk do të duhej t’i imponohej asnjë kandidat për kreun e partisë, duke aluduar në raportimet se kryesia ka arritur konsensusin që Isa Mustafa të jetë sërish kryetar. Sejdiu ka thënë se nuk është pjesë e konsensusit të LDK-së për kryetarin e partisë.

“I pashë raportimet në media. Jo, unë nuk jam pjesë e këtij konsensusi të përfolur. Qëndrimet e mia lidhur me kandidaturën time i kam shprehur edhe publikisht dhe për këtë e kam njoftuar edhe kryetarin aktual të LDK-së z.Mustafa në takimin e djeshëm dhe kryesinë qendrore nëpërmes tij. Është e ditur që delegatët e Kuvendit si organi më i lartë i LDK-së, duhet të zgjedhin kryetarin e LDK-së, në mënyrë të lirë dhe demokratike dhe këtij organi nuk do të duhej t’i servohet e as imponohet asnjë kandidaturë”, ka thënë Sejdiu.

LDK nesër do të mbajë Kuvendin Zgjedhor, ku pritet të zgjidhet kryetari i partisë dhe Këshilli i Përgjithshëm. Deri tani janë përmendur emra të shumtë si të mundshëm për të kryesuar këtë parti, edhe është përfolur për një kandidat konsensual që të drejtojë LDK-në. /Sinjali/