Ambasadori i SHBA-ve në Beograd, Kyle Scott, thotë se është koha që t’i jepet fund konflikteve të viteve të 90-ta.
Përmes rrjetit social twitter, Scott i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të rifillojnë dialogun me ndërmjetësimin e BE-së, sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Ka ardhur koha për t’i dhënë fund konflikteve të viteve ’90. I bëj thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rihapin sa më shpejt dialogun e sponsorizuar nga BE dhe të përmbahen nga ndërmarrja e hapave që e bëjnë të pamundur arritjen e një marrëveshje”, ka shkruar Scott.
Kjo thirrje e ambasadorit amerikan në Beograd, vjen një ditë pas deklaratës së përbashkët të vendeve të QUINT-it, përmes së cilës kërkohet nga Kosova dhe Serbia që t’i rikthehen dialogut, duke eliminuar veprimet që pamundësojnë arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve.
Dy kërkesat kryesore të ambasadave të QUINT-it, janë që Kosova të heqë taksën ndaj Serbisë, ndërsa Serbia të ndalë propagandën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës./Sinjali/